Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kanë prezantuar një propozim të ri për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke sugjeruar një model që fokusohet fillimisht në përfshirjen në tregun e përbashkët të BE-së dhe në zonën Schengen.
Në një opinion të përbashkët të publikuar në gazetën gjermane, dy liderët paraqesin atë që e cilësojnë si një “rrugë realiste” drejt Bashkimit Evropian. Ata nuk insistojnë në një afat të shpejtë për anëtarësim të plotë, por propozojnë që vendet kandidate të përgatitura të përfshihen gradualisht në tregun e përbashkët dhe në lëvizjen e lirë brenda zonës Schengen.
Sipas tyre, kjo qasje do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët dhe ekonomitë e rajonit, ndërkohë që do të forconte edhe pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të vetë BE-së. Rama dhe Vuçiq shprehin zhgënjim që prej vitit 2013 nuk ka pasur zgjerim të ri të Unionit, duke e cilësuar situatën aktuale si dekurajuese për Ballkanin Perëndimor.
Ata argumentojnë se rajoni duhet të shihet nga Brukseli si një hapësirë strategjike, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të fundit gjeopolitike, duke e përshkruar Ballkanin Perëndimor si një zonë me potencial të madh investimi.
Në analizën e tyre, dy liderët theksojnë se brenda BE-së ekziston një tension mes aspiratës së vendeve kandidate për një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë dhe nevojës së shteteve anëtare për të ruajtur funksionalitetin dhe unitetin e Unionit.
Si kompromis, ata propozojnë një integrim të përshpejtuar ekonomik dhe në lëvizjen e lirë, pa ndryshuar arkitekturën institucionale të BE-së. Modeli i sugjeruar nuk do t’u jepte vendeve kandidate të drejtë vetoje, nuk do të sillte komisionerë të rinj, shtim deputetësh në Parlamentin Evropian apo ndryshime në mekanizmat e votimit – duke e bërë, sipas tyre, këtë formulë më të pranueshme për shtetet anëtare që hezitojnë përballë një zgjerimi të ri.

