Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dënuar ashpër sulmet e Iranit ndaj vendeve të rajonit, duke i kërkuar Teheranit të ndalë menjëherë veprimet ushtarake dhe të rikthehet në tryezën e negociatave.
Në një deklaratë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer shprehën “dënimin në termat më të ashpër” të sulmeve iraniane, duke theksuar se Irani duhet të përmbahet nga goditjet ushtarake pa dallim.
“Bëjmë thirrje për rifillimin e negociatave dhe nxisim udhëheqjen iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratë.
Tre liderët evropianë theksuan se prej kohësh i kanë kërkuar Iranit të ndalë programin bërthamor, të kufizojë programin e raketave balistike, të heqë dorë nga aktivitetet destabilizuese në rajon si dhe të ndalë dhunën dhe represionin ndaj popullit të vet.
Ata sqaruan se vendet e tyre nuk kanë marrë pjesë në sulmet e së shtunës, por janë në kontakt të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Izraelin dhe aleatët në rajon. Në përfundim, liderët riafirmuan përkushtimin për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve./Reuters

