Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, njoftoi se aeroplanët britanikë janë nisur drejt Lindjes së mesme si pjesë e operacioneve mbrojtëse të koordinuara për të garantuar sigurinë e njerëzve, interesave dhe aleatëve të vendit.
Starmer tha se Britania ka forcuar kapacitetet mbrojtëse në rajon dhe ka rritur masat e sigurisë për bazat dhe stafin britanik në nivelin më të lartë. Ai shtoi se autoritetet po qëndrojnë në kontakt të ngushtë me qytetarët britanikë që ndodhen në Lindjen e Mesme për t’u ofruar mbështetje të plotë.
“Kjo është jetike për të parandaluar përshkallëzime të mëtejshme dhe për t’u rikthyer në një proces diplomatik. Ne dëshirojmë paqe, siguri dhe mbrojtje të jetës civile,” deklaroi Starmer, duke shtuar se Irani duhet të heqë dorë nga sulmet e mëtejshme, të braktisë programin e armëve dhe të ndalojë dhunën ndaj popullit iranian.
Kryeministri britanik gjithashtu njoftoi se ka zhvilluar biseda me udhëheqësit e grupit E3 (Britania, Franca dhe Gjermania) dhe me partnerë të tjerë rajonalë, duke theksuar se ky koordinim është pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe për t’u rikthyer sa më shpejt në tryezën e negociatave.

