Gjykata e Strasburgut për herë të parë ka regjistruar padinë të cilën e ka dorëzuar avokati Drini Grazhdani kundër Serbisë e që kishte të bënte me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, Medvegjë dhe Bujanoc. Avokati ka bërë të ditur padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj Teuta Fazliut.
Postimi i plotë i Grazhdanit:
Gjykata e Strasburgut për herë të parë ka regjistruar padinë të cilën e kam dorëzuar kundër Serbisë, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj Teuta Fazliu
Serbia është angazhuar në spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve, duke i pasivizuar adresat jo vetëm të atyre që punojnë jashtë, por edhe të atyre që jetojnë brenda vendit. Ky pasivizim nuk është simbolik, i detyron shqiptarët të largohen, pasi qytetarët humbasin të drejtën për të marrë letërnjoftim/pasaportë të re, të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor, të drejtën e votës, etj.
Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare.
Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme.
Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje të gjithë të prekurve nga pasivizimi që të ndjekin procedurat e brendshme ligjore në Serbi, pa marrë parasysh faktin se Serbia i refuzon ato.
Kjo është një fitore fillestare, dhe do të jem i përkushtuar që të përfundojë me fitore të plotë.

