Përmbytjet në Kosovë përsëriten pothuajse çdo vit, ndërsa shumë projekte për rregullimin e lumenjve dhe ndërtimin e digave mbeten të parealizuara, pavarësisht se parashihen në buxhete. Për pasojë, çdo sezon shiu rikthen të njëjtin skenar, rrugë të bllokuara, shtëpi të përmbytura, dëme në bujqësi dhe infrastrukturë të rrënuar.
Vetëm pak muaj pasi ishte përuruar me koncert, drita, flamuj e fjalime, nënkalimi i ri në zemër të Malishevës u shndërrua në liqen. Uji që mbuloi gjithë hyrjen e tij e fshiu shpejt shkëlqimin e festës verore, duke zbuluar realitetin e zymtë të projekteve që përfundojnë para kohe vetëm në letra.
Banorët e qytetit, që dikur duartrokisnin përurimin e “Malishevës Urbane”, sot shikojnë me zhgënjim një tunel betoni të mbushur me baltë e ujë, vlera e të cilit është afërsisht 9 milionë euro.
Ky ishte vetëm një nga shumë objekte banimi e ndërtesa që u rrënuan nga vështrimet.
Në të njëjtën kohë, dhjetëra shtëpi, biznese e oborre në komuna të tjera të vendit u përfshinë nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut që nisën më 5 janar.
Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, komunat më të prekura ishin Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Drenasi, Skenderaj dhe Gjakova.
Dëmet llogariten në miliona euro, ndërsa dhjetëra familje u detyruan të evakuohen. Edhe pse komunat formuan komisione për vlerësimin e dëmeve dhe hapën platforma për raportime, siç ka ndodhur çdo vit, mungesa e kodit buxhetor për kompensim e rrezikon që e gjithë kjo punë të mbetet vetëm në letër.
Shteti nuk ka fond emergjence që nga viti 2016
Problemi i kompensimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore nuk është i ri. Ai përsëritet prej më shumë se një dekade. Që nga viti 2016, asnjë qeveri nuk ka krijuar një fond të qëndrueshëm emergjent, përkundër kërkesave të vazhdueshme të komunave.
Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se arsyeja kryesore pse qytetarët dhe bizneset nuk kompensohen është mungesa e bazës ligjore dhe e mjeteve buxhetore.
“Arsyet kryesore janë disa dhe lidhen me kufizimet ligjore e financiare me të cilat përballen komunat. Ato nuk kanë një fond të veçantë emergjent për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe nuk kanë mjete të mjaftueshme për situata të tilla të jashtëzakonshme”.
Sipas tij, ligji aktual nuk ua mundëson komunave që të bëjnë pagesa të drejtpërdrejta për kompensimin e dëmeve, ndërsa procedurat për vlerësim janë të ndërlikuara dhe kërkojnë komisione profesionale, raporte zyrtare dhe verifikime të shumta, gjë që e zgjat procesin.
“Pjesa më e madhe e kompetencave dhe mekanizmave financiarë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore janë të përqendruara në nivelin qendror, ndërsa komunat nuk kanë instrumente të mjaftueshme për të reaguar financiarisht”.
Z. Ibrahimi thotë se po lobon në Qeveri dhe Kuvend për krijimin e një Fondi Kombëtar Emergjent për Komuna, që do të mundësonte reagim të shpejtë financiar në raste fatkeqësish natyrore.
“Ne vazhdimisht po lobojmë pranë Qeverisë dhe Kuvendit për krijimin e një fondi të tillë. Po kërkojmë edhe ndryshime ligjore që komunave t’u jepet bazë më e qartë juridike për kompensimin e dëmeve dhe për menaxhimin e situatave emergjente.
Qëndrimi ynë është i qartë: komunat nuk mund t’i përballojnë pasojat financiare të fatkeqësive natyrore pa ndihmën e nivelit qendror”.
Komunat pa fonde, formojnë raporte e komisione
Disa komuna kanë hapur aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet. Ato kanë njoftuar qytetarët për paraqitjen e kërkesave, duke kërkuar të dhënat personale, kopjen e letërnjoftimit, llogarinë bankare dhe fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve.
Në Drenas, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës ka pohuar se komisioni lokal është në fazën e përgatitjes së raportit për dëmet e janarit.
“Pas përfundimit të raportit, ai do të procedohet për miratim në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal dhe më pas do t’i dërgohet Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim procesimin për pagesë. Komuna e Drenasit nuk ka fond emergjent dhe, për shkak të kufizimeve buxhetore, nuk ka mundësi të realizojë pagesa të kësaj natyre”.
Nga Malisheva kanë treguar se situata është e njëjtë çdo vit, pa fond emergjent, pa kod buxhetor dhe me buxhet të kufizuar.
“Ka pasur raste kur janë ndihmuar qytetarë në ndonjë situatë të caktuar, por kur ka vërshime masive, jo, sepse nuk ka fond emergjent. Edhe po të ketë buxhet, nuk ka kod buxhetor. Në rastet e vërshimeve, dëmet nuk janë kompensuar”, – tha ai. Sipas Paçarizit, përgjegjësia për kompensim është në nivelin qendror: “Është detyrë dhe përgjegjësi direkte e Qeverisë që përmes ministrive përkatëse t’i realizojë këto pagesa”.
Nga Komuna e Rahovecit, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, thonë se dëmet nga vërshimet janë kompensuar vetëm pjesërisht.
“Në vitin 2022, dëmet në bujqësi dhe ekonomi familjare janë kompensuar, ndërsa dëmet në biznese jo. Për vitet 2023 dhe 2024 raportet janë dërguar në komisionin qendror, por ende nuk ka pasur kompensim.
Dëmet e shkaktuara nga vërshimet e datës 5, 6 dhe 7 janar 2026, raporti ka kaluar dhe është votuar në Kuvendin Komunal në janar 2026. Sipas procedurave, janë duke u kompletuar dosjet dhe shumë shpejt do të dorëzohen në komisionin qendror për kompensim të dëmeve”.
Në vitin 2023, dëmet afro 4 milionë euro
Raporti financiar nëntëmujor (janar – shtator 2025) i Ministrisë së Financave tregon se një pjesë e projekteve për rregullimin e lumenjve e ndërtimin e digave nuk kanë filluar fare, ndërsa të tjerat janë në proces të ngadaltë. Projekti për rregullimin e shtratit të lumit në Shtime ka arritur 83% progres, por ai për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, vetëm 12%.
Ndërkohë, sipas raportit “Mjedisi i Europës 2025” të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, vetëm për vitin 2023, dëmet nga përmbytjet në familje arritën në mbi 3.75 milionë euro.
Në buxhetin e vitit 2025 u parapanë dhjetëra projekte mjedisore, kryesisht për ndërtimin e urave dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve.
Projekte të ngjashme u planifikuan edhe me buxhetin e këtij viti, i cili ende nuk është miratuar, me synim uljen e rrezikut nga vërshimet deri në 60%.
Raporti financiar nëntëmujor (janar-shtator 2025) i Ministrisë së Financave tregon se disa nga to nuk kanë filluar fare, ndërsa disa të tjera janë në proces realizimi.
Sipas rregullores për metodologjinë e vlerësimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, në të mira materiale përfshihen: objekte banimi, objekte të tjera përcjellëse, pajisje, mjete pune, kafshë, prodhimtaria aktuale bujqësore, mallra, mjete të transportit të të gjitha llojeve, orenditë dhe të gjitha mjetet dhe pajisjet që përdoren për jetën dhe punën e qytetarëve dhe bizneseve.
Sipas të dhënave të prezantuara, dëmet e vitit 2016 përfshijnë: biznese 44,990.00 euro, ekonomi familjare 5,198.00 euro, infrastrukturë 71,320.00 euro dhe bujqësi 48,387.00 euro.
Ndërsa për vitin 2021, dëmet e raportuara janë: biznese 479,517.00 euro, ekonomi familjare 217,643.20 euro, infrastrukturë 1,705,000.00 euro dhe bujqësi 6,738.20 euro. /Monitor

