Kuvendi nuk mund të thërrasë seancë për zgjedhjen e presidentit/es pa kandidatë me 30 nënshkrime

by informim peje

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka theksuar se nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit ose presidentes pa pasur kandidatë që kanë mbledhur të paktën 30 nënshkrime, raporton Ekonomia Online.

“Më lejoni të adresoj disa çështje lidhur me këtë temë, të cilat i konsideroj të rëndësishme, sidomos për shkak të kërkesave të shumta që kam marrë në kabinetin tim. Kryesia e Kuvendit nuk mund të veprojë pa kandidatë që kanë 30 nënshkrime. Mund të jenë dy kandidatë, por lejohet edhe tre ose katër kandidatë, pasi Kuvendi i Republikës së Kosovës ka 120 deputetë, dhe secili kandidat duhet të ketë 30 nënshkrime. Një deputet nuk mund të japë nënshkrimin për më shumë se një kandidat. Zgjedhja e presidentit është një moment shumë i rëndësishëm, dhe si Kryetare e Kuvendit, mendoj se procesi duhet të reflektojë përgjegjësi, maturi dhe frymë bashkëpunimi”, tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

banner

Haxhiu gjithashtu ka nënvizuar nevojën për diskutime të sinqerta, dhe jo për barrikada si në të kaluarën.

“Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës kërkojnë 80 vota në dy raundet e para. Për raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Kjo tregon qartë se zgjedhja e presidentit kërkon konsensus – asnjë palë e vetme nuk mund ta vendosë rezultatin. Prandaj janë të nevojshme diskutime të sinqerta me kërkesa të arsyeshme, jo barrikada si më parë. Si Kryetare e Kuvendit, mirëpres diskutimet dhe takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike dhe mbështes çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv për të gjetur një kandidaturë që bashkon”, tha Haxhiu.

Ajo paralajmëron se zvarritja e proceseve ose futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme, si politike ashtu edhe institucionale.

“Kemi shumë punë përpara. Qytetarët presin rezultate, reforma dhe stabilitet. Zvarritja e proceseve ose nisja e një cikli të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme. Ne kemi pyetur pse Kryesia e Kuvendit nuk po procedon me thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit. Arsyeja është se nuk kemi nominime – kandidatë që kanë 30 nënshkrime. Pasi të kemi këto kandidatura, do të mblidhem për të proceduar me seancën”, përfundoi ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy