Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) thotë se është duke monitoruar me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimeve të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë që merren me tregtimin e tyre.
MINTI njoftoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, për të mbrojtur konsumatorët përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë.
“Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, këto lëvizje duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
MINTI paralajmëron se kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive gjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren.
“Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve në pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së një vendimi përmes të cilit do të rregullohen çmimet dhe do të caktohen masa të tjera mbrojtëse për produktet e naftës. Në këtë kuadër parashihet edhe mbikëqyrje e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thuhet më tej.
Ministria thekson se është e përkushtuar, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.
Ajo u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi apo mashtrim të mundshëm përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, në numrin pa pagesë 0800 11000 ose përmes emailit zyrtar: konsumatori@rks-gov.net
.

