Policia e Kosovës ka publikuar të dhëna zyrtare për situatën e komunikacionit në rajonin e Ferizajt gjatë muajit shkurt-2026, ku rezulton se janë raportuar gjithsej 116 aksidente rrugore. Nga këto, 54 aksidente kanë përfunduar me lëndime të 66 personave, ndërsa 62 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i aksidenteve ka shënuar një ulje të lehtë prej 2.5%, duke treguar një trend të qëndrueshëm, por ende shqetësues për sigurinë në rrugë.
Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsej 5.691 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, duke shënuar një rritje prej 28.5% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 4.426 gjoba. Për shkelje të rënda të rregullave të trafikut, 120 shoferë kanë humbur patentën e drejtimit.
Rajoni i Ferizajt përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, ku Policia ka paralajmëruar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e sigurisë rrugore.
Në komunikatën zyrtare, Policia bën thirrje për kujdes të shtuar nga shoferët, respektim rigoroz të rregullave të trafikut dhe bashkëpunim me autoritetet, duke përdorur aplikacionin “Lajmëro Policinë” ose numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

