Irani ka paralajmëruar vendet evropiane që të mos bashkohen me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në veprime kundër tij, duke theksuar se një hap i tillë do të konsiderohej “akt lufte”. Reagimi i ashpër i Teheranit vjen pasi Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca deklaruan se mund të ndërmarrin “veprime mbrojtëse” për të shkatërruar aftësitë raketore të Iranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha në një konferencë për shtyp se çdo veprim i tillë do të shihej si bashkëpunim me agresorët. “Do të ishte një akt lufte. Çdo akt i tillë kundër Iranit do të konsiderohej si bashkëpunim me agresorët dhe si një akt lufte kundër Iranit”, deklaroi ai.
Tensionet u përshkallëzuan pasi Irani sulmoi të hënën një bazë britanike në ishullin e Qipro, shtet anëtar i Bashkimi Evropian. Sipas zyrtarëve qipriotë, Franca do të dërgojë një anije luftarake në Qipro për të forcuar mbrojtjen kundër dronëve, pasi një dron i tipit “Rashed” goditi një bazë ushtarake britanike në lindje të Mesdheut.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se Parisi do të dërgojë sisteme shtesë tokësore kundër dronëve dhe raketave, sipas raportimeve të Associated Press.
Ndërkohë, edhe Gjermania i është përgjigjur pozitivisht një kërkese për të dërguar një anije luftarake, sipas tre zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Pajisjet pritet të mbërrijnë në Qipro sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.

