Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka ofruar ekspertizën e vendit të tij në mbrojtjen kundër dronëve luftarakë të prodhimit iranian për shtetet e Gjirit që janë sulmuar nga Teherani.
Në një videomesazh, Zelensky theksoi se Ukraina ka përvojën më të madhe në botë në përballjen me dronët “Shahed”, të cilët, sipas tij, përbëjnë sfidën më të madhe në fushën e mbrojtjes ajrore.
“Ekspertiza ukrainase në mbrojtjen kundër dronëve “Shahed” është aktualisht më e madhja në botë”, deklaroi ai.
Zelensky nuk dha detaje konkrete mbi kërkesat për ndihmë, por më herët zhvilloi biseda telefonike me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, si dhe me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka komunikuar edhe me homologun e tij nga Kuvajti.
Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi se çdo bashkëpunim i tillë për mbrojtjen e partnerëve ndërkombëtarë nuk duhej të cenonte kapacitetet mbrojtëse të vetë Ukrainës.
Ai sugjeroi më herët mundësinë e dërgimit të ekspertëve ukrainas të mbrojtjes kundër dronëve në vendet e Gjirit, me kusht që më parë të sigurohej një armëpushim në luftën me Rusinë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Ukraina vazhdon të përballet me sulme intensive me dronë nga Rusia, e cila përdor në shkallë të gjerë mjete ajrore pa pilot, të ndërtuara fillimisht në Iran.
Mbrojtja ajrore ukrainase nuk arriti të rrëzonte dje asnjë dron rus mbi qendrën e kryeqytetit Kiev.
Ukraina po i reziston pushtimit të plotë rus prej më shumë se katër vitesh, ndërsa ka marrë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore nga partnerët perëndimorë për të përballuar kërcënimet në rritje nga ajri.

