Çështja e ofrimit të 30 nënshkrimeve për kandidimin e Vjosa Osmani për një mandat të dytë presidencial ka nxitur përplasje të re politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Presidencës.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi në konferencë për media se partia e saj i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për paraqitjen e kandidaturës për President, por sipas saj, kjo ofertë nuk është pranuar.
“Ka pasur interesim për kandidimin e presidentes edhe për një mandat. I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj… Osmani s’ka pranuar këtë ofertë”, ka thënë Nagavci.
Megjithatë, nga Presidenca ka pasur reagim demantues ndaj këtij pretendimi. Sipas burimeve të cituara nga mediat, situata paraqitet ndryshe nga ajo që është deklaruar publikisht nga përfaqësuesit e VV-së.
Burime të mirëinformuara kanë thënë se ideja e ofrimit të nënshkrimeve nuk ka pasur për qëllim mbështetjen reale të Osmanit për rizgjedhje, por synimin që ajo të paraqitej formalisht si kundërkandidate përballë Glauk Konjufca, në mënyrë që të sigurohej kuorumi në seancën për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas të njëjtave burime, në rast të dështimit të sigurimit të kuorumit, përgjegjësia do t’i faturohej opozitës për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja. “Asnjëherë s’i është ofruar përkrahje për t’u rizgjedhur”, ka deklaruar burimi.

