Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh vlerësues për rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe forcimin e shoqërive, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Osmani, e cila është fituese e çmimit “Women for Peace and Security 2025” nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, theksoi se lidershipi i grave është thelbësor për ndërtimin e një bote më të drejtë, më të sigurt dhe më paqësore.
Në fjalimin e saj, ajo u drejtua grave dhe vajzave në mbarë botën duke i inkurajuar që të jenë pjesë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Presidentja tha se në këtë ditë ajo flet jo vetëm si udhëheqëse e një shteti, por edhe si grua, nënë dhe bijë që beson se me guxim dhe vendosmëri mund të kapërcehen çdo paragjykim dhe barrierë.
Sipas saj, historia e Kosovës dëshmon qartë kontributin vendimtar të grave në momentet kyçe të vendit. Ajo kujtoi se rruga drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës nuk është ndërtuar vetëm nga burrat, por nga gratë dhe burrat që kanë qëndruar krah për krah në periudha të vështira.
Osmani vlerësoi veçanërisht rolin e grave që udhëhoqën rezistencën paqësore në periudhat kur zërat e qytetarëve ishin të shtypur, si dhe kontributin e tyre gjatë dhe pas luftës në rindërtimin e institucioneve dhe në kërkimin e drejtësisë.
“Forca e tyre është busulla morale e vendit tonë”, theksoi presidentja, duke shtuar se përfshirja dhe fuqizimi i grave në vendimmarrje e bëjnë shoqërinë më të fortë dhe paqen më të qëndrueshme.

