“Disa hetues të anti-drogës pa certifikatë sigurie”, raporti i IPK-së me disa rekomandime

by informim peje

Disa prej hetuesve në Njësinë për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë nuk kanë kaluar ende verifikimin e sigurisë, për qasje në informacione të klasifikuara.
Kjo është një nga të gjeturat kryesore të një raporti inspektues nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Aty i është rekomanduar shefit të kësaj njësie që të vendosë mekanizma të brendshëm kontrolli, që të sigurohet që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara.

banner

Por, ky nuk është rekomandimi i i vetëm nga autoriteti mbikëqyrës i Policisë së Kosovës.

“Numri i informatave që kanë përfunduar me raste është 220 sosh, derisa për 321 të tjera nuk ka gjetje, ose janë ende aktive. Në drejtim të rritjes së efikasitetit në trajtimin e secilit raport inteligjent apo informatë, IPK është njohur me faktin se është i nevojshëm kthimi i informatave kthyese për ZAS-in, meqë numri i tyre mbetet i ulët. Sipas ZAS, numri i informatave kthyese për raportet e pranuara inteligjente nga Njësia në fjalë është i ulët (35 nga 541 sosh për tre vite). IPK ka vërejtur se duhet të ngritet shkëmbimi i informatave, me këtë edhe kthimi i tyre tek ZAS mbi hapat e ndërmarrë lidhur me raportet inteligjente, në drejtim të rritjes edhe të efikasitetit në trajtimin e rasteve”, thuhet nga IPK.

Ish-shefi i Hetimeve në Polici, Refki Morina, thotë se hetuesit duhet të jenë të pajisur me këtë lloj certifikate, pasi që natyra e punës së tyre është e ndjeshme.
“Personat e tillë që punojnë në njësitë e tilla kundër drogës, janë persona të cilët puna dhe veprimtaria e tyre konfidenciale, informatat të cilat vijnë janë koefidente prandaj personat e tillë duhet ta kenë certifikatën e besueshmërisë së tërësishme nga AKI-ja por edhe nga institucionet tjera në mënyrë që informatat e tilla sensitive të mos dalin në opinion për shkak të ndjeshmërisë së rasteve”, thotë Morina.

E ish-kryeshefi i IPK-së, mospajisjen me certifikatë sigurie të hetuesve e quan si shqetësuese pasi thotë se kanë qasje direkt në informacione.

“Duhet në mënyrë urgjente që këto rekomandime në numër relativisht të madh të adresohen me urgjencë dhe të materializohen duke filluar nga pajisja e këtyre punonjësve të këtij njësiti me certifikatë sigurie, respektimi hierarkik i gjithë punonjësve në këtë njësit, raportet rregullimi dhe vënia e raporteve sa më praktike me Prokurorin e Shtetit”, shprehet Valdet Hoxha.

Po ashtu, në këtë raport theksohet se zyrtarët policorë nuk bëjnë planifikimin në fazën e hetimit dhe se vërehet angazhim i mangët në zbatimin e të gjitha masave të fshehta.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy