Pas dorëheqjes së mëhershme të Haxhi Avdylit, një tjetër figurë e Partisë GUXO ka vendosur të tërhiqet nga aktiviteti politik brenda këtij subjekti. Anëtari i kryesisë së partisë, Kujtim Hajdaj, ka njoftuar se ka vendosur të pezullojë përkohësisht angazhimin e tij politik në kuadër të kësaj partie.
Vendimin e tij Hajdaj e ka bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se një nga arsyet kryesore lidhet me mbështetjen e tij publike për Vjosa Osmanin në postin e Presidentes. Ai ka lënë të kuptohet gjithashtu se vendimi është ndikuar edhe nga disa rrethana të krijuara në raport me udhëheqjen e partisë, megjithëse nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Në reagimin e tij, Hajdaj ka bërë të ditur se pezullimi i aktivitetit politik është për një periudhë të pacaktuar dhe përfshin edhe dorëheqjen nga funksionet që mbante brenda strukturave të partisë. Ai ushtronte detyrën e anëtarit të kryesisë qendrore dhe të koordinatorit të Partisë GUXO për diasporën.
“Duke qenë se kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmanit për presidente dhe duke u bazuar në disa rrethana të tjera që janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, të cilat nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim që për një kohë të pacaktuar të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të kësaj partie”, ka shkruar Hajdaj në njoftimin e tij.

