Dogana e Kosovës ka zhvilluar një aksion në rajonin e Prishtinës, ku janë konfiskuar mallra që dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në vend, me vlerë të përafërt rreth 800 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar në bazë të autorizimeve ligjore që burojnë nga Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës. Gjatë aksionit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, kryesisht depo të bizneseve.
Nga kontrollet është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi veshjesh tekstili. Sipas autoriteteve, mallrat e gjetura dyshohet se nuk posedojnë dokumentacionin e nevojshëm për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Kosovë.
Pas evidentimit të rastit është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallrave janë duke u intervistuar, ndërsa mallrat janë duke u inventarizuar dhe konfiskuar për t’u transportuar në depot e Doganës së Kosovës.
Autoritetet kanë theksuar se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e tregut të ligjshëm në vend.

