Një grup prej 12 ligjvënësish amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për raportimet mbi një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO në Kosovë.
Në letrën e datës 11 mars, kongresistët paralajmërojnë se një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane në KFOR mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ata i bëjnë thirrje Departamentit të Shtetit që të ruajë nivelin aktual të forcave amerikane në këtë mision.
Ligjvënësit theksojnë se situata politike në rajon mbetet e brishtë dhe se ndikimi i aktorëve të jashtëm është në rritje. Sipas tyre, prania amerikane ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe në parandalimin e tensioneve.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë me rreth 500 trupa në një forcë prej rreth 5 mijë ushtarësh të KFOR-it. Kongresistët e përshkruajnë këtë si “një prani të vogël me një ndikim të jashtëzakonshëm”, duke e konsideruar kontributin amerikan si shtyllë të efektit parandalues të misionit.
Në letër përmendet edhe dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilin ligjvënësit thonë se mbetet pa përparim domethënës, ndërsa tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të larta. Sipas tyre, një reduktim i trupave mund të dobësojë presionin për rikthimin e palëve në negociata.
Kongresistët paralajmërojnë gjithashtu se dobësimi i KFOR-it mund të ketë ndikim edhe në situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi misioni shërben si forcë rezervë për EUFOR Althea.
Në këtë kontekst përmendet edhe lideri i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, për të cilin ligjvënësit thonë se ka vazhduar retorikën separatiste dhe bllokimin institucional.
Letra ngre shqetësime edhe për ndikimin e Rusisë në rajon, duke theksuar se Moska ka tentuar vazhdimisht të shfrytëzojë ndarjet në Ballkan për të dobësuar mbështetjen për NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim citohet edhe dëshmia e komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë, Christopher Cavoli, i cili kishte paralajmëruar për nxitjen e tensioneve ndëretnike në Bosnje.
Në fund të letrës, ligjvënësit kërkojnë sqarime nga Departamenti i Shtetit mbi implikimet e mundshme të një reduktimi të trupave dhe bëjnë thirrje që çdo vendim për ndryshimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë të koordinohet ngushtë me Kongresin.





