Presidenca e Kosovës ka dorëzuar komentet në Gjykaten Kushtetuese lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Lajmi u konfirmua nga këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili bëri të ditur se komentet janë përgatitur nga ekipi ligjor i presidentes në bashkëpunim me ekspertë të fushës.
Sipas Kupinës, dokumenti i dorëzuar përmban qëndrimet dhe sqarimet e Presidencës lidhur me çështjen që është në shqyrtim nga gjykata kushtetuese.
“Presidenca i ka dorëzuar komentet e hartuara nga ekipi ligjor i presidentes në konsultim me një numër ekspertësh me përvojë”, ka deklaruar ai.
Dorëzimi i këtyre komenteve vjen në kuadër të procedurës së shqyrtimit kushtetues të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, proces që pritet të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese në ditët në vijim.

