Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka ngritur pikëpyetje lidhur me mënyrën se si janë shpenzuar mjetet për investime kapitale nga buxheti i shtetit gjatë viteve 2021–2025.
Sipas një analize që ai ka publikuar, gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar rreth 3 miliardë euro për shpenzime kapitale. Megjithatë, Hoti thotë se pas përjashtimit të investimeve të komunave, të cilat sipas tij janë relativisht të vogla, është e vështirë të identifikohen projektet kryesore ku janë shpenzuar këto mjete.
Ai thekson se disa nga projektet e rëndësishme infrastrukturore në vend ende nuk janë përfunduar. Ndër to përmend rrugët kryesore rajonale, si dhe autostradën e Anamoravës, për të cilën thotë se vazhdon të mbetet e papërfunduar, çka sipas tij nënkupton se pagesat për këtë projekt ende nuk janë realizuar plotësisht.
Po ashtu, Hoti përmend dy projekte të mëdha infrastrukturore – ndërtimin e hekurudhës që do të lidhte Durrësin me Kosovën dhe projektin e tunelit Prizren–Tetovë – për të cilat thotë se pritej të absorbonin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për investime kapitale, por që sipas tij ende nuk kanë nisur.
Në këtë kontekst, deputeti ka ngritur pyetjen se ku janë shpenzuar të gjitha këto mjete nga buxheti i shtetit gjatë viteve të fundit.

