Një incident i rëndë është raportuar në një sinagogë në qytetin West Bloomfield, në Detroit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një automjet është përplasur në ndërtesën fetare.
Sipas policisë lokale, automjeti ka hyrë në sinagogën Temple Israel gjatë pasdites së së enjtes (sipas kohës lokale). Pas incidentit, është raportuar edhe për shkëmbim zjarri mes një të dyshuari dhe forcave të sigurisë.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në kërkim, ndërsa policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa nuk është bërë ende e ditur nëse ka persona të lënduar nga incidenti.
Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë tym që del nga ndërtesa, ndërsa dhjetëra automjete të policisë dhe zjarrfikësve janë vendosur në zonë. Autoritetet e Oakland County kanë njoftuar se zona përreth është evakuuar për arsye sigurie.
Në ndërtesën e prekur ndodhet edhe një çerdhe për fëmijë. Sipas mediave amerikane, prindërit kanë arritur t’i marrin fëmijët e tyre pa incidente.

