Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar nga protesta e zhvilluar para Kryeministrisë lidhur me vendimin e sotëm në Parlament, ku mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama votoi kundër dhënies së autorizimit për SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në fjalën e tij para protestuesve, Lapaj kritikoi sistemin aktual elektoral, duke deklaruar se deputetët në Shqipëri nuk përfaqësojnë qytetarët, por janë të varur nga kryetarët e partive.
“Kur thua deputet në Shqipëri, për shkak të ligjit elektoral, ke thënë vartësi, shërbëtor i kryetarit të radhës që drejton qeverinë më të korruptuar të Europës. Ndaj e kemi vënë theksin te reformat e thella dhe te ndryshimi i ligjit elektoral, që çdo njeri në Parlament të ketë dinjitetin të votojë ashtu siç do të donte elektorati i tij”, u shpreh ai.
Sipas Lapajt, vendimi i sotëm në Kuvend tregon se politika mbron interesat e një elite të ngushtë. Ai akuzoi mazhorancën se po pengon drejtësinë dhe po mbron zyrtarët e saj nga hetimet.
“Sot kemi një republikë të marrë peng nga një tufë banditësh që nuk u ngopën së vjedhuri. Bënin si pro drejtësisë deri kur nuk kërcënohej elita e tyre. Sot nxorën fytyrën anti-Europë dhe anti-ligj”, deklaroi Lapaj gjatë protestës

