Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar se vendi i tij ka blerë raketa balistike kineze të tipit CM-400AKG, duke u bërë kështu shteti i parë në Evropë që zotëron këtë lloj armatimi.
Deklarata e Vuçiqit erdhi pasi disa fotografi të raketave të montuara në një avion luftarak serb u publikuan në internet, duke nxitur reagime dhe spekulime mbi përforcimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, ky zhvillim shihet si pjesë e përpjekjeve të Beogradit për të balancuar marrëdhëniet e tij me partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë bashkëpunimin me NATO-n, aspiratat për integrim në Bashkimin Evropian, lidhjet tradicionale me Rusinë dhe partneritetin strategjik me Kinën.
“Ne kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe do të kemi edhe më shumë”, deklaroi Vuçiq gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror serb RTS.
Ai shtoi se forcat ajrore serbe kanë përshtatur avionët luftarakë MiG-29, të prodhimit rus, për të transportuar raketat CM-400AKG, duke rritur kështu kapacitetet sulmuese të aviacionit ushtarak të vendit.

