Qytetarëve të Kosovës u është bërë thirrje që të shtunën të shmangin qarkullimin në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, për shkak të një proteste të paralajmëruar në territorin e Serbisë.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se protesta pritet të shoqërohet me bllokim të rrugës për rreth dy orë, çka mund të ndikojë në qarkullimin dhe funksionimin e këtij pikëkalimi.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi i rrugës pritet të ndodhë më 14 mars 2026, nga ora 16:00 deri në ora 18:00.
“Ju njoftojmë se nesër, më datë 14.03.2026, është paralajmëruar mbajtja e një proteste në territorin e Serbisë dhe bllokimi i rrugës për dy orë, duke filluar nga ora 16:00 deri në ora 18:00. Ju inkurajojmë që nesër të shmangni qarkullimin në PKK Jarinjë dhe të zgjedhni pikëkalime të tjera për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Autoritetet u kanë rekomanduar qytetarëve që për udhëtim të përdorin pikëkalime të tjera kufitare për të shmangur pritjet dhe vështirësitë në qarkullim.

