Situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës vazhdon të mbetet e qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve politike që kanë ndodhur muajt e fundit në pushtetin lokal. Kështu ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke theksuar se puna e policisë po vazhdon mbi të njëjtën bazë ligjore dhe me të njëjtin ritëm operativ.
Sipas tij, aktualisht në radhët e policisë në veri janë 154 zyrtarë policorë të komunitetit serb, ndërsa përbërja etnike e forcës policore ka ndryshuar dukshëm që nga viti 2023. Elshani theksoi se policia vazhdon të zbatojë ligjet e Republikës së Kosovës, përfshirë Ligjin për Policinë, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Ai shpjegoi se edhe në rastet kur lindin mospajtime rreth vendimeve administrative apo punimeve të autorizuara më herët nga komunat, këto çështje trajtohen nga gjykatat dhe jo nga institucionet e tjera. Në këtë mënyrë, sipas tij, ruhet rendi institucional dhe ligjor në gjithë rajonin.
Duke folur për bashkëpunimin me pushtetin lokal, Elshani tha se komunikimi me kryetarët e komunave është i rregullt dhe korrekt. Ai tregoi se komandantët e stacioneve policore zhvillojnë takime të vazhdueshme me drejtuesit komunalë për çështje që lidhen me sigurinë publike, trafikun rrugor, aksidentet dhe infrastrukturën rrugore.
Në këtë kuadër, ai ka zhvilluar takime edhe me kryetarët e komunave si Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi, duke e cilësuar komunikimin si të hapur dhe bashkëpunues.
Elshani rikujtoi se kur ai kishte marrë detyrën në prill të vitit 2023, në veri ishin vetëm katër policë të përkatësisë etnike serbe. Sipas tij, sot numri ka arritur në 154, ndërsa në përbërjen e përgjithshme të policisë në këtë rajon rreth 40 për qind janë shqiptarë dhe rreth 60 për qind pjesëtarë të komuniteteve të tjera.
Kjo situatë vjen pas zhvillimeve politike që nga viti 2022, kur shumë zyrtarë serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës. Ndërkohë, në katër komunat veriore – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – më 5 dhjetor 2025 janë mbajtur seancat konstituive ku kryetarët e rinj nga Lista Serbe kanë marrë sërish drejtimin e komunave.
Pavarësisht zhvillimeve politike dhe tensioneve të herëpashershme në këtë pjesë të vendit, autoritetet policore theksojnë se prioritet mbetet ruajtja e rendit publik dhe zbatimi i ligjit në të gjithë territorin.

