Dy persona të kërkuar me urdhër ndërkombëtar janë ekstraduar nga Italia në Kosovë gjatë datave 12 dhe 13 mars 2026, në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas policisë, të dy personat ishin shpallur në kërkim përmes INTERPOLit me urdhër të institucioneve të drejtësisë së Kosovës, pasi dyshohej se i ishin shmangur procedurave ligjore.
Më 12 mars 2026 u realizua ekstradimi i personit me inicialet A.B., i cili kërkohej nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “vjedhje e rëndë”. Ndërsa një ditë më vonë, më 13 mars 2026, u ekstradua edhe personi me inicialet Xh.K., i kërkuar për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Autoritetet njoftuan se ekstradimet janë kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes Kosovës dhe Italisë në fushën e zbatimit të ligjit.
Pas mbërritjes në Kosovë, të dyshuarit u dorëzuan tek njësitë përkatëse policore në rajonet e Prizrenit dhe Mitrovicës për procedura të mëtejshme ligjore.

