Kreu i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas dakordimit të fundit midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi implementimin e Ligjit për të Huajt.
Petkoviq theksoi se marrëveshja nuk nënkupton integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore paralele serbe në sistemin e Kosovës dhe as njohjen e pavarësisë së vendit. Ai sqaroi se qëllimi i dakordimit është që serbët e Kosovës të mund të punojnë në institucionet ku Serbia është punëdhënëse, pa ndërprerje të funksionimit të tyre.
Sipas Petkoviq, kryetarët e dhjetë komunave serbe do të përpilojnë listat e të punësuarve në institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore. Bazuar në këto lista, të punësuarve do t’u sigurohet e drejta e qëndrimit dhe e punës në Kosovë, duke garantuar përditësimin e të dhënave çdo 12 muaj dhe ruajtjen e të dhënave personale.
“Askush nuk do të jetë në gjendje të ndërpresë punën apo të hyjë me forcë, por populli serb do të ketë mundësi të punojë lirisht në institucionet tona,” tha Petkoviq gjatë një konference për media.
Ai shtoi se përmes këtij dakordimi është evituar më e keqja: mbyllja e institucioneve paralele arsimore dhe shëndetësore në Kosovë, duke garantuar funksionimin e tyre për komunitetin serb.

