Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka theksuar se presin nga Serbia të ushtrojë rolin e saj për të mbajtur përgjegjës autorët e dhunës që ndodhi gjatë tensioneve të vitit 2023 në veri të Kosovës.
Në një intervistë për mediat serbe në Beograd, Ulutash tha se aktualisht situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nuk ka pasur ndryshime domethënëse kohët e fundit, por gjithsesi mbetet e brishtë për shkak të çështjeve ende të pazgjidhura. Ai vuri në dukje se gjatë mandatit të tij nuk është vërejtur përsëritja e dhunës në nivele të larta, por autorët e sulmeve të vitit 2023 duhet të mbahen përgjegjës.
“Ne kemi vënë re arrestimet e kryera nga institucionet në Kosovë lidhur me dhunën e kryer kundër paqeruajtësve të KFOR-it. Mirëpresim të gjitha hapat që mbështesin sundimin e ligjit,” tha Ulutash, duke rikujtuar thirrjet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për llogaridhënie.
Ai nënvizoi se zgjidhja e problemeve është politike, jo ushtarake, dhe se stabiliteti afatgjatë mund të arrihet përmes dialogut të qëndrueshëm politik dhe gatishmërisë për kompromis. KFOR-i, tha Ulutash, mbetet i përgatitur për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke punuar në koordinim me aktorët ndërkombëtarë dhe komunitetet lokale.
Komandanti i KFOR-it gjithashtu sqaroi se nuk ka ndryshime të rëndësishme në prezencën e trupave amerikane brenda misionit, ku rreth 600 trupa amerikane vazhdojnë të kontribuojnë në sigurinë dhe aktivitetet e përditshme të misionit, përfshirë patrullat, ushtrimet dhe projektet e zhvillimit ekonomik.
Ulutash përfundoi duke theksuar se forcimi i institucioneve demokratike, respektimi i ligjit dhe të drejtave të njeriut janë jetikë për një paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe rajon.

