Bllokada në Kuvend rrezikon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë 121 milionë euro

by engel

Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës po vë në rrezik ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare që kapin vlerën e rreth 121 milionë eurove, ndërsa afatet për miratimin e tyre po afrohen.

Një nga marrëveshjet më urgjente është ajo mes Kosovës dhe Bankes Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporaten Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh. Afati për ratifikimin e saj është deri më 31 mars, por puna e Kuvendit është aktualisht e pezulluar për shkak të një mase të përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

banner

Marrëveshja për projektin energjetik është vetëm njëra nga tetë marrëveshje që presin miratim në Kuvend. Ndër to përfshihen marrëveshje për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe amendamente të marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programit IPA.

Po ashtu, në pritje të ratifikimit janë edhe dy marrëveshje kredie me Banken Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projekte që lidhen me efiçencën e energjisë në ndërtesa publike dhe ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, si dhe një marrëveshje kredie me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e rrugës Prishtinë–Mitrovicë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka theksuar se afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe kërkojnë procedim të shpejtë nga ana e Kuvendit.

Edhe nga Bankes Evropiane për Investime është theksuar se ratifikimi i marrëveshjes është i domosdoshëm për të siguruar financimin e projektit. Sipas tyre, projekti për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet deri në 100 megavatë pritet të rrisë prodhimin e energjisë së rinovueshme në vend dhe të forcojë sigurinë energjetike të Kosovës.

Ky central parashihet të prodhojë rreth 169 gigavatë-orë energji elektrike në vit, duke kontribuar në uljen e varësisë nga prodhimi me bazë qymyri dhe në reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit.

Njohës të punës së Kuvendit vlerësojnë se këto marrëveshje kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit. Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, thekson se ratifikimi i tyre do të përshpejtonte investimet publike dhe do të sillte përfitime konkrete për qytetarët në afat të mesëm dhe afatgjatë.

Nga ana tjetër, hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli, vlerëson se situata aktuale krijon pasiguri institucionale, pasi çdo bllokim në funksionimin e Kuvendit shtyn automatikisht edhe procesin e ratifikimit të marrëveshjeve.

Ajo paralajmëron se vonesat mund të ndikojnë në zbatimin e projekteve dhe në perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë për seriozitetin institucional të Kosovës.

Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kërkohet shumicë e kualifikuar prej dy të tretave të deputetëve, gjë që e bën të domosdoshëm konsensusin politik mes partive parlamentare. Analistët theksojnë se projekte të tilla zhvillimore duhet të trajtohen përtej përplasjeve politike, në mënyrë që të mos rrezikohen investimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy