Shefja e stafit të Shtëpis së Bardhë, Susie Wiles, është diagnostikuar me kancer të gjirit në fazë të hershme. Lajmi u bë i ditur të hënën nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump njoftoi se Wiles do të fillojë menjëherë trajtimin mjekësor, por do të vazhdojë të mbajë detyrën e saj në administratë.
Sipas presidentit amerikan, ajo është nën kujdesin e një ekipi të specializuar mjekësor dhe prognoza për shërim është shumë e mirë.
Trump shtoi gjithashtu se gjatë periudhës së trajtimit, Wiles do të vazhdojë të punojë pothuajse me kohë të plotë në Shtëpinë e Bardhë, gjë që, sipas tij, është një lajm inkurajues për administratën.
Susie Wiles ka shërbyer si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit Trump. Më herët, ajo ka qenë gjithashtu bashkëmenaxhere e fushatës së tij presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024.

