Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka zhvilluar një takim njohës me kolonelin Federico Mora, i cili së fundmi është emëruar komandant i Komandës Rajonale–Perëndim të misionit të NATO në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjini përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me KFOR-in.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet në Komunën e Gjakovës, si dhe për situatën e përgjithshme në vend.
“Me mirënjohje për partneritetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me KFOR-in, zhvillova një takim njohës me Kolonelin Federico Mora, i sapoemëruar komandant i Komandës Rajonale–Perëndim të misionit të NATO-s. Gjatë takimit e informova për zhvillimet në Gjakovë dhe për situatën në nivel vendi, ndërsa diskutuam për rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në funksion të sigurisë dhe stabilitetit”, ka shkruar Gjini.
Ai gjithashtu e falënderoi kolonelin Mora për vizitën dhe për rikonfirmimin e bashkëpunimit me KFOR-in.
“E falënderoj Kolonelin Mora për vizitën dhe rikonfirmimin e bashkëpunimit me KFOR-in, i cili ka rëndësi kyçe për vendin tonë”, ka theksuar Gjini.

