Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka mirëpritur vendimin e Komisionit Evropian për heqjen e të gjitha masave financiare të vendosura ndaj Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Konjufca theksoi se ky zhvillim përbën një hap pozitiv për vendin dhe krijon mundësi për një fazë të re bashkëpunimi me institucionet evropiane. Ai bëri të ditur se tashmë pritet që të rifillojë mbështetja financiare e pezulluar më herët.
Sipas tij, heqja e masave duhet të shërbejë si shtysë për thellimin e reformave dhe për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës. “Ne presim që kjo të hapë një fazë të re angazhimi konstruktiv dhe progresi konkret në rrugën tonë drejt BE-së”, ka deklaruar ai.
Vendimi i Bashkimi Evropian për të larguar masat ndaj Kosovës shihet si një sinjal i përmirësimit të raporteve dhe një mundësi për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit.

