Një 33-vjeçar nga Prizreni është arrestuar në flagrancë në pikën kufitare të Morinës, nën dyshimin për tentativë trafikimi të lëndëve narkotike drejt territorit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shqipërisë, gjatë një kontrolli të detajuar në vijën e dytë të kufirit, autoritetet kanë konstatuar te i dyshuari posedim të një sasie prej 101 gramësh substancë të dyshuar narkotike të llojit kanabis. Lënda është sekuestruar së bashku me automjetin që drejtonte i arrestuari.
Operacioni policor është realizuar nga Policia Kufitare e Morinës në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë në Kukës, pas analizave të riskut dhe verifikimeve operative të kryera në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet H.M., është ndaluar në vendngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për vijimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

