Më 16 mars të vitit 1998, në një nga periudhat më të tensionuara të historisë së Kosovës, u organizua marshi i grave shqiptare drejt rajonit të Drenica, një akt i fuqishëm solidariteti i njohur si “Bukë për Drenicën”.
Ky mobilizim qytetar erdhi si reagim ndaj rrethimit të Drenicës dhe vrasjeve të civilëve në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, ku forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kishin kryer sulme të përgjakshme ndaj popullatës shqiptare.
Në kulmin e përshkallëzimit të situatës në këtë zonë, qindra gra nga vise të ndryshme të Kosovës u nisën në një marsh paqësor me synimin për të dërguar ndihma ushqimore për banorët e rrethuar, në veçanti për nënat dhe fëmijët që përballeshin me mungesë të theksuar të kushteve bazë për jetesë.
Ky organizim humanitar u shndërrua shpejt në një simbol të qëndresës qytetare, duke bashkuar gra të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme, të cilat vendosën të sfidojnë rrezikun dhe represionin për të ndihmuar bashkëqytetarët e tyre në nevojë.
Megjithatë, rrugëtimi i tyre drejt Drenicës u ndërpre nga forcat policore serbe, të cilat vendosën një kordon në hyrje të Fushë Kosova, duke penguar vazhdimin e marshit dhe duke bllokuar kolonën e grave.
Përballë kësaj situate, gratë në krye të marshit iu drejtuan policisë me një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë, duke theksuar karakterin humanitar të aksionit të tyre.
“Nuk jemi demonstruese, por gra, nëna dhe motra që duam të shkojmë në Drenicë, për t’u dërguar bukë nënave dhe fëmijëve të ngujuar atje”, ishte deklarata e tyre, e cila mbeti një nga thirrjet më domethënëse të asaj kohe.
Edhe pse marshit nuk iu lejua të vazhdonte, ky akt mbeti një dëshmi e fuqishme e guximit dhe vendosmërisë së grave shqiptare përballë represionit, duke sfiduar strukturat shtypëse përmes një forme paqësore dhe humanitare të rezistencës.
Sot, marshi “Bukë për Drenicën” kujtohet si një nga episodet më të rëndësishme të solidaritetit shoqëror në historinë e Kosovës, një moment që dëshmon rolin e pazëvendësueshëm të grave në periudhat më të vështira dhe kontributin e tyre në ruajtjen e dinjitetit dhe humanizmit në kohë krize.//The Geopost












