17 vjet! Plot 17 vjet u kërkuan për t’u përfunduar rruga Prishtinë-Mitrovicë, e cila është 40 kilometra. Përurimi i segmentit të fundit të kësaj rruge, u bë sot nga kryeministri Albin Kurtit, segment i cili kap gjatësinë prej rreth 10 kilometrash.
E stërzgjatur në vite, e në punime, kjo rrugë ‘problematike’ gjatë ndërtimit të saj pa disa përurime. Vetë Kurti e kishte bërë një të tillë dy vite më parë.
Ky inaugurim ishte bërë në dhjetor të 2024, për segmentin Stanovc – hyrja e Vushtrrisë, ku asokohe, kryeministri shoqërohej nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ky i fundit kishte deklaruar se kjo rrugë do të përfundonte brenda një viti, por që në fakt, doli ndryshe.
Përveç kësaj rruge, në situatë të njëjtë ‘bllokade’ janë edhe të tjera, si ajo Klinë-Gjakovë, e Prishtinë – Gjilan.
Ndërsa për rrugën e përuruar sot, Kurti, tha se ky projekt është ndërtuar me standarde të larta.
“Projekti është ndërtuar me standarde të larta dhe moderne, e si i tillë sjell siguri, zhvillim e mundësi për të gjithë banorët e zonës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, dhe komunat e Vushtrrisë e të Mitrovicës. Punimet në këtë projekt kanë përfunduar përbrenda afatit të plotë dyvjeçar, që tregon se kemi pasur dinamikë të lartë të punës, efikasitet në realizim dhe bashkë me këto edhe cilësi maksimale në ekzekutim. Mos të harrojmë që ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009, por nuk u përfundua asnjëherë për shkak se u nis mbrapsht. Ky investim prej 25 milionë euro, me gjatësi prej 9.6 kilometra, është realizuar në bashkëpunim të institucioneve tona me Fondin Saudit për Zhvillim, si dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për çfarë i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar’’, tha mes tjerash ai.

