Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajrami, duke përcjellë mesazhe paqeje, shëndeti dhe mirëqenieje për të gjithë qytetarët.
Abdixhiku bëri të ditur se, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Naim Tërnaven, të cilin e uroi për këtë festë të rëndësishme, ndërsa përmes tij përcolli urimet për gjithë komunitetin islam në vend.
Ai theksoi se kjo ditë feste bart me vete vlera të rëndësishme shoqërore, si solidariteti, përkushtimi dhe kujdesi për njëri-tjetrin, duke nënvizuar se këto janë elemente që e mbajnë të bashkuar shoqërinë.
Sipas tij, këto vlera duhet të ruhen, të mbrohen dhe të promovohen çdo ditë, në mënyrë që të forcohet bashkëjetesa dhe mirëqenia e përgjithshme në vend.

