Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane ka kërkuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se procesi aktual nuk ka sjellë rezultate konkrete pas më shumë se një dekade.
Kërkesa u bë gjatë një takimi në Uashington mes presidentit të AARC-së, Martin Vulaj, dhe anëtarit të bordit Vehbi Bajrami me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku në fokus ishte ecuria dhe perspektiva e dialogut.
Sipas AARC-së, procesi i dialogut ka hyrë në një fazë të stërzgjatur dhe pa rezultate të prekshme. Në takim u theksua se mungesa e progresit lidhet edhe me mungesën e vullnetit nga pala serbe për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Vulaj kritikoi gjithashtu mënyrën e menaxhimit të dialogut nga ana e Evropës, duke e cilësuar qasjen aktuale si burokratike dhe joefektive në prodhimin e rezultateve konkrete.
Organizata nënvizoi se çdo përparim real kërkon një qasje të re dhe theksoi se një proces i udhëhequr nga SHBA-ja do të ishte më efektiv për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu, u riafirmua se njohja e ndërsjellë mbetet objektivi kryesor i dialogut.
Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera rajonale, përfshirë bashkëpunimin me Shqipërinë si aleate e rëndësishme e SHBA-së, si dhe përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar.
Në përfundim, AARC ritheksoi përkushtimin për të përfaqësuar interesat shqiptare në Uashington dhe për të nxitur një angazhim më të madh amerikan në rajon, me synim forcimin e stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë.

