KRU Prishtina ka paralajmëruar konsumatorët se mosnënshkrimi i kontratës për shërbime mund të rezultojë me ndërprerje të furnizimit me ujë. Sipas të dhënave të kompanisë, rreth 110 mijë konsumatorë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim ligjor.
Zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku, bëri të ditur se më 4 mars është nisur një fushatë ndërgjegjësuese për të inkurajuar qytetarët që të nënshkruajnë kontratat për shërbimet e ujësjellësit. Ajo theksoi se kontrata është e detyrueshme si për kompaninë, ashtu edhe për konsumatorët, pasi përcakton qartë të drejtat dhe obligimet e të dyja palëve.
Sipas saj, në rast se konsumatorët nuk e nënshkruajnë kontratën brenda një afati prej 10 ditësh nga momenti i dorëzimit, kjo konsiderohet si refuzim i shërbimit. Në këto raste, kompania mund të ndërmarrë masa deri në shkyçjen nga rrjeti i furnizimit me ujë.
Mjeku sqaroi se kontrata rregullon marrëdhëniet juridike ndërmjet konsumatorit dhe ofruesit të shërbimit, duke përfshirë kushtet e furnizimit, pagesat dhe procedurat për zgjidhjen e kontesteve. Ajo shtoi se Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit mbikëqyr zbatimin e rregullave që lidhen me tarifat dhe cilësinë e shërbimeve.
Konsumatorët mund ta nënshkruajnë kontratën në drejtorinë e ujësjellësit ose në pikat e arkëtimit në lagjet përkatëse, duke e kryer këtë procedurë edhe gjatë pagesës së faturave të ujit.
Aktualisht, nga rreth 180 mijë konsumatorë në total, vetëm 70 mijë e kanë nënshkruar kontratën, ndërsa pjesa tjetër pritet ta përmbushë këtë detyrim në ditët në vijim.

