Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në Aeroportin LaGuardia në Nju Jork, ku një avion pasagjerësh i Air Canada Express është përplasur me një automjet zjarrfikës në pistë, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe bashkëpilotit.
Sipas raportimeve të NBC News, viktimat janë dy anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në kabinën e pilotimit. Avioni i përfshirë në aksident ishte i tipit Bombardier CRJ-900 dhe operohej nga Air Canada Express. Incidenti ndodhi menjëherë pas uljes, kur avioni u përplas me kamionin zjarrfikës në pistë gjatë natës së së dielës.
Pas përplasjes, Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi pezullimin e përkohshëm të të gjitha lëvizjeve ajrore në aeroport, ndërsa ekipet emergjente ndërhynë menjëherë në vendngjarje.
Në bord ndodheshin rreth 60 pasagjerë, të cilët u evakuuan menjëherë pas aksidentit. Pamjet e publikuara në internet tregojnë pjesën e përparme të avionit të dëmtuar rëndë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa pritet që në orët në vijim të publikohen më shumë detaje mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

