Dy raste të vjedhjeve janë raportuar gjatë së dielës në rajonin e Prizren, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në shtëpi private dhe kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, rasti i parë është regjistruar në fshatin Leshan të Suharekës, ku hajnat kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë marrë një sasi stolish ari. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
Një tjetër vjedhje me të njëjtën mënyrë është raportuar edhe në Krushë të Vogël, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi private. Nga aty janë vjedhur stoli ari, para të gatshme si dhe sende të tjera me vlerë.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të shtojnë vigjilencën dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.

