Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Tregtisë, duke kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente për të përballuar situatën e rënduar ekonomike në vend.
Kjo kërkesë vjen si reagim ndaj rritjes së shpejtë të çmimeve të karburanteve, e cila po ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve dhe në aktivitetin ekonomik. Në dokumentin e dorëzuar, Tahiri ka propozuar katër masa konkrete që synojnë zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga shtrenjtimi i derivateve.
Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë në vend kanë rekomanduar ndërhyrje fiskale, përfshirë heqjen e akcizës për naftën dhe uljen e TVSH-së, si mënyra për të lehtësuar barrën financiare për qytetarët dhe bizneset.
Në krahasim me Kosovën, disa vende evropiane tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë. Greqia dhe Kroacia kanë prezantuar pako mbështetëse përmes subvencioneve, me qëllim për të ndihmuar qytetarët të përballojnë rritjen e çmimeve.
Rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve lidhet edhe me zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet mes Iranit, Izraelit dhe SHBAve, të cilat kanë ndikuar në tregjet globale dhe stabilitetin ekonomik.

