Sulmuesi i FC Barcelona dhe kapiteni i Polonisë, Robert Lewandowski, ka vlerësuar maksimalisht Kombëtaren shqiptare në prag të gjysmëfinales së playoff-it për FIFA World Cup 2026.
Në një deklaratë për mediat, Lewandowski theksoi se Shqipëria mbetet një kundërshtar i fortë, duke paralajmëruar një përballje të vështirë për skuadrën e tij. “Duhet të shënojmë një gol më shumë. Shqipëria është gjithnjë një skuadër e fortë, por ne luajmë në shtëpi dhe shpresojmë që të mos e lejojmë të marrë avantazhin,” u shpreh ai.
Sulmuesi polak shtoi se kjo ndeshje nuk mund të krahasohet me përballjet e mëparshme, duke nënvizuar rëndësinë e momentit dhe faktin se bëhet fjalë për një sfidë vendimtare. Ai e cilësoi këtë duel si “finalen e parë” për Poloninë, duke theksuar se nuk ka vend për gabime në një fazë të tillë.
Pavarësisht eksperiencës së gjatë në futbollin ndërkombëtar, Lewandowski foli edhe për emocionet para këtij takimi, duke pranuar se ato janë të ndryshme nga e kaluara. “Jam i ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe mendoj se mund t’i kontrolloj më mirë emocionet,” deklaroi ai.
Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë pritet të jetë një përballje e fortë, ku të dyja skuadrat synojnë kalimin në finalen e playoff-it dhe mbajtjen gjallë të ëndrrës për kualifikim në Botërorin 2026.

