Irani ka hedhur poshtë edhe një herë pretendimet për zhvillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kundërshtuar deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për përparim në negociata mes dy vendeve.
Presidenti amerikan kishte deklaruar më herët sot gjatë ditës se mes Uashingtonit dhe Teheranit janë zhvilluar “bisedime shumë të mira”, duke shtuar se pala iraniane është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje.
Megjithatë, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka mohuar kategorikisht ekzistencën e këtyre kontakteve. Përmes një postimi në rrjetin social X, ai i cilësoi raportimet si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.
“Nuk janë zhvilluar negociata me SHBA-në dhe lajmet e rreme përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të naftës dhe për t’i shpëtuar moçalit në të cilin janë bllokuar SHBA-ja dhe Izraeli”, shkroi Ghalibaf.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve të publikuara nga agjencia Reuters, e cila, duke cituar një zyrtar izraelit, pretendoi se Ghalibaf mund të jetë duke udhëhequr bisedimet me Uashingtonin.
Deklaratat kontradiktore nga palët shtojnë paqartësinë rreth mundësisë së një dialogu të ri diplomatik mes dy vendeve, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të mbeten të larta.

