Ilia Uvarov, i emëruar së fundmi si shef i Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur rolin e tij specifik.
Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë funksionon që nga viti 2005 dhe mbetet nën ombrellën e UNMIK-ut, pa kontroll të drejtpërdrejtë nga institucionet e Kosovës. Sipas praktikave të zakonshme, stafi i saj ka imunitet juridik dhe akses të pakufizuar në territorin e Kosovës, duke e bërë këtë mision një nga më pak transparentët në vend.
Sipas databazës së Molfar Intelligence Institute, Ilia Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”, një degë që zhvillon operacione të inteligjencës nga territori rus, shpesh nën mbulesë diplomatike. Organizata ukrainase thekson se konfirmimi i plotë i rolit të tij mbetet i vështirë.
Karriera diplomatike e Uvarovit përfshin poste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Moldavi dhe Transnistri, ku ai ka shërbyer si konsull dhe bashkëkryesues i Komisionit të Përbashkët të Kontrollit për sigurinë në zonë. Aktivitetet e tij kanë përfshirë edhe projekte të ndërlidhura me Bashkimin Evropian dhe monitorimin e zonave të diskutueshme gjeopolitike.
Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë Mark Galeotti dhe Keir Giles, theksojnë se përdorimi i mbulesës diplomatike për veprimtari të inteligjencës është praktikë e zakonshme dhe se misionet si ai i Uvarovit mund të funksionojnë si baza për operacione të mëtejshme rajonale.
Përveç konfirmimeve nga databaza ukrainase, nuk ka pasur reagime zyrtare nga Zyra Ndërlidhëse e Rusisë, Ambasada e Rusisë, apo Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës lidhur me këto të dhëna. REL nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt Uvarovin për një qëndrim.
Analizat e mëparshme të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe të inteligjencës amerikane vlerësojnë se Rusia shikon Kosovën si zonë strategjike për influencë dhe mbikëqyrje rajonale, duke përdorur përfaqësues të saj si pjesë e operacioneve më të gjera gjeopolitike.
Ky zhvillim vjen në një kontekst ku përveç aktivitetit diplomatik, Rusia shihet nga shumica e qytetarëve të Kosovës si një faktor potencial rreziku për stabilitetin e vendit./REL

