Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës të Kryesisë, ku janë shqyrtuar zhvillimet e fundit politike në vend, situata institucionale dhe procesi i riorganizimit të brendshëm të partisë.
Pas takimit, Kryesia e PDK-së vlerësoi se gjendja aktuale politike është rezultat i papërgjegjësisë së shumicës parlamentare, duke e cilësuar atë si të panevojshme dhe të dëmshme për stabilitetin e vendit. Në këtë kontekst, PDK theksoi se zgjidhja e vetme për tejkalimin e situatës mbetet kthimi te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.
Kryetari i partisë, Bedri Hamza, deklaroi se riorganizimi i brendshëm është i lidhur ngushtë me synimin për të ndërtuar një alternativë serioze dhe të përgjegjshme qeverisëse.
“PDK po riorganizohet për të qenë më afër qytetarëve dhe për të ndërtuar një ofertë të qartë politike që garanton stabilitet dhe zhvillim. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe vendimmarrje të përgjegjshme, jo për improvizime dhe kriza të njëpasnjëshme”, u shpreh Hamza.
Në të njëjtën kohë, Kryesia e PDK-së ngriti shqetësime edhe për gjendjen ekonomike në vend, duke vlerësuar se qeveria aktuale nuk po arrin t’i adresojë problemet reale të qytetarëve.

