Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Irani ka refuzuar një plan 15-pikësh për armëpushim, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar dislokimin e njësive ushtarake në rajon.
Sipas njoftimeve nga Garda Revolucionare e Iranit, janë lëshuar raketa drejt Izraelit si dhe ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein. Në këto sulme, sipas burimeve iraniane, janë përdorur edhe dronë sulmues.
Në anën tjetër, Izraeli ka intensifikuar operacionet ajrore, duke kryer sulme në periferitë jugore të Bejrutit dhe duke vazhduar bombardimet në jug të Libanit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, që nga 2 marsi janë vrarë mbi 1 mijë persona dhe janë plagosur rreth 3 mijë të tjerë si pasojë e sulmeve.
Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka hedhur poshtë pretendimet për negociata me SHBA-të, duke deklaruar se “amerikanët po negociojnë vetëm me veten”. Ebrahim Zolfaghari, nënkolonel në ushtrinë iraniane, ka theksuar se Irani nuk do të pranojë marrëveshje me Washingtonin dhe ka refuzuar planin e armëpushimit të propozuar përmes Pakistanit.
Nga ana tjetër, SHBA-të kanë ndërmarrë hapa ushtarakë duke dislokuar njësi elitare në rajon, një veprim që shihet si përgatitje për operacione të mundshme ndaj objektivave strategjikë në Iran, në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.

