Përgjigjja e Iranit ndaj një propozimi për paqe nga Shtetet e Bashkuara pritet të bëhet publike gjatë ditës së premte, në një zhvillim që mund të ndikojë në rrjedhën e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimit të Reuters, një burim ka bërë të ditur se presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë janë informuar përmes ndërmjetësve se kundërpropozimi i Iranit mund të mbërrijë gjatë ditës së sotme.
Konflikti, i cili nisi më 28 shkurt pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit, është përhapur në disa pjesë të rajonit, duke rritur shqetësimet për destabilizim më të gjerë.
Raportimet tregojnë se pala iraniane ka shqyrtuar një propozim prej 15 pikash, të përcjellë përmes Pakistanit, i cili përfshin kërkesa të ndjeshme si çmontimi i programit bërthamor, kufizimi i zhvillimit të raketave dhe kontrolli mbi Ngushticen e Hormuzit.
Megjithatë, sipas një zyrtari iranian, propozimi është vlerësuar si i njëanshëm dhe në shërbim të interesave të SHBA-së dhe Izraelit. Pavarësisht kësaj, ai ka theksuar se përpjekjet diplomatike vazhdojnë dhe nuk janë mbyllur ende.

