Më 28 mars 1999, fshati Izbicë u bë skenë e një prej masakrave më të mëdha të kryera nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, ku u vranë mizorisht 147 shqiptarë të paarmatosur – gra, pleq dhe fëmijë – si pjesë e një plani për zhdukjen e qenies shqiptare.
Në të njëjtën ditë, ndërkohë që Kosova digjej në të katër anët, bashkëluftëtarët e Haradinajt nga Zonë Operative e Dukagjinit shënuan një fitore të rëndësishme ndaj forcave serbe në Betejën e Pozharit, një betejë e shquar që përkujtohet me emrat e heronjve Elez Geci dhe Maxhun Berisha.
Haradinaj gjithashtu kujtoi se më 28 mars u themelua Brigada 137 Gjakova, brigada e parë urbane në Kosovë, e përbërë nga bijtë dhe bijat më të mirë të Atdheut, të cilët me guxim dhe përkushtim dëshmuan se liria nuk ishte thjesht një aspiratë, por një e drejtë për të cilën luftohej deri në vetëmohim.
Sipas tij, të rënët e kësaj toke mbeten themeli i lirisë dhe frymëzim i përjetshëm për brezat e ardhshëm, duke kujtuar sakrificën e tyre dhe rëndësinë e përkujtesës historike për vazhdimësinë e lirisë së Kosovës.

