Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar në Vjenë me çmimin “Dr. Erhard Busek”, në kuadër të konferencës “Kosova në BE”, e organizuar nga Andreas Minnich, nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Austriak dhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë.
Ky vlerësim iu nda Osmanit për lidership të jashtëzakonshëm dhe përkushtim ndaj lirisë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik, në një ngjarje që u mbajt me rastin e 27-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Në fjalën e tij, Minnich vlerësoi rolin e presidentes, duke theksuar se ajo është një nga zërat më të fuqishëm në Evropë për integrimin e Kosovës në Bashkimi Evropian. Ai e cilësoi Osmanin si një “ndërtuese urash”, që lidh jo vetëm vendet evropiane, por edhe partneritetet transatlantike.
Në një video-mesazh falënderues, Osmani e cilësoi çmimin si një vlerësim të veçantë dhe rikujtoi rëndësinë historike të ndërhyrjes së NATO-s, duke e përshkruar atë si moment kur “bota zgjodhi të qëndrojë në anën e duhur të historisë”. Ajo shprehu mirënjohje të thellë për Austrinë, duke e vlerësuar si një aleat të qëndrueshëm të Kosovës.
Presidentja theksoi se liria është një vlerë që fitohet dhe mbrohet ndër breza, ndërsa nënvizoi se Kosova synon të ndërtojë një shtet ku demokracia, barazia dhe sundimi i ligjit janë realitete të përditshme.
Duke folur për të ardhmen, Osmani ritheksoi se rruga e Kosovës është drejt integrimit në BE dhe në NATO, si vazhdimësi e vlerave që vendi përfaqëson.
Çmimi “Dr. Erhard Busek”, i ndarë nga Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë, mban emrin e një prej figurave të rëndësishme austriake dhe mbështetës të fuqishëm të Kosovës, duke simbolizuar përkushtimin ndaj paqes, bashkëpunimit dhe një Evrope të bashkuar.

