Shkup, 29 mars – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me debatet për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet për kandidatët juristë, duke theksuar se nuk nevojiten iniciativa të reja, por zbatim i drejtpërdrejtë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Nga kjo parti vlerësojnë se çdo përpjekje për të anashkaluar zbatimin e këtij ligji përmes propozimeve të reja apo interpretimeve shtesë përbën, siç thonë ata, “mashtrim” dhe shmangie të detyrimeve ligjore.
“Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në këto provime nuk kërkon zgjidhje të reja, por vetëm zbatim të ligjit ekzistues. Çdo devijim nga kjo rrugë përbën shmangie të detyrimeve ligjore dhe degradim të statusit gjuhësor”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas tyre, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është “lex specialis” dhe ka përparësi ndaj ligjeve të tjera, duke qenë i qartë edhe për përdorimin e gjuhëve në provimet e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit.
BDI kundërshton qëndrimet se problemi mund të zgjidhet përmes harmonizimit të ligjeve, duke theksuar se një qasje e tillë bie ndesh me vetë ligjin, i cili – sipas tyre – e rregullon qartë këtë çështje, pa lënë hapësirë për kushte shtesë.
“E drejta për përdorimin e gjuhës nuk është favor, por e drejtë e garantuar me ligj dhe nuk mund të varet nga procedura administrative apo interpretime të gabuara”, theksojnë nga partia.
Ata shtojnë se problemi real nuk është mungesa e harmonizimit, por mungesa e vullnetit për zbatim të ligjit. Në këtë drejtim, kritikojnë edhe disa propozime, përfshirë ato të Avokatit të Popullit, duke i cilësuar si ulje të standardeve të të drejtave gjuhësore.
Në fund, nga BDI theksojnë se kjo çështje nuk zgjidhet me komisione apo iniciativa të reja, por vetëm me një veprim konkret: zbatim të plotë dhe të drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve

