Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu, ka bërë një premtim të pazakontë për kombëtaren e vendit të tij, në prag të finales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kampionatin Botëror. Ai deklaroi se do të shpërblejë çdo lojtar me nga një vilë nëse Turqia arrin të sigurojë biletën për në Botëror, pas një mungese prej 22 vitesh.
Në një intervistë të fundit, Haciosmanoglu theksoi rëndësinë e këtij objektivi për futbollin turk, duke shtuar se është i gatshëm ta financojë personalisht këtë shpërblim. “Kemi 22 vite që nuk shkojmë në Botëror. Do të paguaj nga xhepi im për vilat e lojtarëve nëse kualifikohemi”, u shpreh ai.
Turqia arriti në finalen e “Play-Off”-it pas një fitoreje minimale 1-0 ndaj Rumanisë në gjysmëfinale. Në ndeshjen vendimtare, përballë saj do të jetë Kosova, në një duel që pritet me interes të lartë nga tifozët e të dyja vendeve.
Ky premtim i presidentit shihet si një motivim shtesë për futbollistët turq, të cilët synojnë rikthimin në skenën më të madhe të futbollit botëror.

