Kombëtarja e Kosovës U19 ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Turqisë, duke triumfuar me rezultat 3-1 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe.
Të drejtuarit nga trajneri Albert Bunjaku zhvilluan një paraqitje bindëse, duke e dominuar ndeshjen që nga minutat e para. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 8-të me anë të Rin Ahmetit, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë. Vetëm 12 minuta më vonë, Lorik Mehmeti dyfishoi rezultatin, duke i dhënë një avantazh të sigurt “Dardanëve” të rinj.
Në pjesën e dytë, Turqia tentoi të rikthehej në lojë dhe arriti të ngushtojë diferencën në minutën e 51-të me golin e Ozan Demirbag. Megjithatë, Kosova ruajti qetësinë dhe kontrollin e lojës, duke vulosur fitoren në minutën e 89-të me golin e Leonit Gabricës.
Me këtë triumf, Kosova U19 ngjitet në vendin e parë në Grupin 2 kualifikues me shtatë pikë nga tri ndeshje. Armenia renditet e dyta me pesë pikë, ndërsa Turqia mban vendin e tretë me katër pikë. Gjibraltari mbetet në fund të tabelës pa asnjë pikë.
Fituesi i grupit do të sigurojë kalimin në raundin tjetër kualifikues, duke u ngjitur nga Liga B në Ligën A.

